Mira Murati

Mira Murati tashmë renditet ndër 50 gratë më me ndikim në botë, sipas Fortune

Kështu e pasqyron publikimi më i fundit i revistës prestigjioze “Fortune”, e cila për herë të parë e rendit Mira Muratin në mesin e 50 grave më të pushtetshme në botë.

Emri: Mira. Mbiemri: Murati. Pozita: Lidere në fushën e Inteligjencës Artificiale. Statusi: Një nga 50 gratë më të pushtetshme në botë.

Ekspertja shqiptare e Inteligjencës Artificiale “etike” nuk është më thjesht një fenomen, por një figurë e fuqishme në teknologjinë globale. Pozita e saj vazhdon të rritet dhe të forcohet.

Kjo evidentohet nga lista e fundit e publikuar nga “Fortune”, që për herë të parë e rendit Muratin ndër 50 gratë më me ndikim në planet.

Në renditjen e kaluar, Murati ishte në vendin e 57-të, por tani ajo ka avancuar me 10 vende dhe ndodhet në pozitën e 47-të.

Ja si e përshkruan “Fortune”:

“Mira Murati, ish-shefe e teknologjisë në OpenAI, habiti Silicon Valley-n kur u largua nga kompania në shtator 2024. Ishte forca lëvizëse pas ChatGPT-së. Vetëm gjashtë muaj pas largimit, ajo krijoi Thinking Machines Lab, një startup i fuqishëm i Inteligjencës Artificiale që ka tërhequr vëmendjen, edhe pse ende operon në mënyrë të fshehtë. Detajet për projektin janë ende të pakta, por ndikimi i 36-vjeçares Murati është i dukshëm: Në mes të majit, ajo thuhet se ishte pranë sigurimit të një investimi rekord prej 2 miliardë dollarësh, që do ta vlersonte kompaninë në 10 miliardë dollarë”.

Thinking Machines Lab
Përfundimi i një kapitulli shpesh nënkupton fillimin e një tjetri. Kështu ndodhi edhe për Muratin.

Pas largimit nga OpenAI, ajo themeloi Thinking Machines Lab – një startup inovativ që e ktheu vëmendjen drejt saj sërish.

Që nga fillimi, Murati vendosi një objektiv të qartë për investime: 2 miliardë dollarë. Dhe është shumë pranë arritjes së kësaj shume.

Ky investim do ta çonte vlerën e startup-it mbi 10 miliardë dollarë – afërsisht aty ku nisi rrugëtimin OpenAI.

Pjesë e këtij investimi është edhe Shqipëria, që ka kontribuar me 10 milionë dollarë nga buxheti i shtetit – një eksperiment i ri për zhvillimin e kapitalit të vendit dhe hera e parë që Shqipëria përfshihet në një projekt të tillë të krijuar nga Murati.

“Po ndërtojmë një lloj të ri të Inteligjencës Artificiale – një që njerëzit mund t’i besojnë, ta formësojnë dhe ta kuptojnë,” deklaroi Murati për kompaninë e saj të re. “Nuk bëhet fjalë për zëvendësimin e njerëzve, por për amplifikimin e asaj që na bën unikë”.

Në botën e biznesit, Murati njihet si një magnet për talentin dhe kapitalin, duke tërhequr njerëzit më të aftë dhe investime të mëdha. Mbi të gjitha, ajo sjell etikën në fushën e AI-së.

Ndryshe nga shumë startup-e të tjera që fokusohen tek AGI (Inteligjenca e Përgjithshme Artificiale), Murati po ndjek një qasje më etike dhe pragmatike.

Thinking Machines Lab i jep përparësi sigurisë, përdorimit dhe përshtatjes së AI-së me nevojat e përdoruesve dhe shoqërisë. Deklaratat publike të Muratit sugjerojnë se kompania mund të punojë për të kombinuar logjikën simbolike me të mësuarit e thellë, ndoshta duke ndjekur një qasje hibride që të tjerët ende nuk e kanë adoptuar.

Ky është dallimi thelbësor: AI nuk është mjaftueshëm “njerëzor” për të kuptuar plotësisht pyetjet dhe nevojat e njeriut. Por Murati po synon pikërisht këtë – dhe me Thinking Machines Lab, duket se po e arrin.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *